Osmani në 22-vjetorin e masakrës së Izbicës: “Drejtësi për vajzën 6-muajshe Dafinën”

Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani në 22-vjetorin e masakrës së Izbicës ka kërkuar drejtësi për vajzën 6-muajshe Dafinën, e cila është vrarë nga forcat serbe.

“Eshtrat e Dafina Qelajt janë gjetur në varrezën masive të Petrovo Selos në Serbi më 2017. Në po të njëjtin vit, ajo është rivarrosur në varrezat e Izbicës”, ka shkruar Osmani në profilin e saj facebook.

Lexoni të plotë postimin e znj. Osmani:

Drejtësi për Dafinën 6-muajshe

Sot bëhen 22 vjet nga masakra e Izbicës, kur forcat ushtarake e policore të regjimit gjenocidal të Serbisë, vranë një vajzë gjashtë muajshe dhe 146 djem e burra.

Eshtrat e Dafina Qelajt janë gjetur në varrezën masive të Petrovo Selos në Serbi më 2017. Në po të njëjtin vit, ajo është rivarrosur në varrezat e Izbicës.

Historia e Dafinës nuk është vetëm e saj. Është edhe e mbi njëmijë fëmijëve të vrarë në luftën e Kosovës, nga të cilët 109 ende rezultojnë të zhdukur.

Kjo histori është dhimbja jonë. Në çdo 28 mars, kujtimi për këta njerëz që u privuan nga jeta vetëm pse ishin shqiptarë është rikujtim për adresim të përgjegjësisë së kryerësve, është thirrje për drejtësi, është kujtesë historike dhe personifikim i mbijetesës!

Në dekadën e dytë që prej se jemi të lirë, duhet të reflektojmë për rrugën që kemi kaluar, sepse Masakra e Izbicës është dëshmia para së cilës duhet të përkulemi të gjithë dhe para së cilës duhet marrim forcën për të thënë dhe kërkuar të drejtësinë.

E mbi të gjitha drejtësi për Dafinën!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për të rënët në Masakrën e Izbicës!

Related posts