Osmani: Nuk ka arsyetim vonesa në sigurimin e vaksinës anti-covid. Kurdo që ajo të është e disponueshme, unë do ta marrë

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka vizituar sot Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me ç’rast është shprehur tejet direkt në atë se nuk ka arsyetim vonesa në sigurimin e vaksinës anti-Covid 19.

Ajo tha se këtu ka përgjegjësi dhe duhet të kërkohet përgjegjësi direkte tek Qeveria, ndërsa sipas saj vaksinat anti-COVID-19 pritet të sigurohen para muajit prill.

“Kam diskutuar me një numër të madh të ndërkombëtarëve tanë, përfshirë dhe Bashkimin Evropian. Mendoj që kemi vonesa të cilat nuk do duhej të arsyetoheshin. Shtetet tjera të rajonit janë para nesh, dhe duhet të kërkojmë përgjegjësi nga qeveria pse kjo vonesë. Pritet që vaksinat të vijnë para prillit”, ka thënë ajo.

Osmani gjithashtu ka bërë të ditur se sapo të jetë e disponueshme vaksina anti-Covid, ajo da ta marrë menjëherë, duke përgatitur terenin se vaksinat e para do të kenë prioritet personelin shëndetësorë, personat mbi 60 vjeç dhe me probleme kronike.

“Do të kërkojmë ndihmë nga këto shtete të cilat kanë shtesë të vaksinave. Në mënyrë që qytetarët tanë të pajisen me këto vaksina para prillit. Sapo vaksina të jetë e disponueshme, natyrisht që do ta marr dhe unë. Prioritet e kemi vaksinimin e personelit shëndetësor, personat mbi 60 vjeç dhe me probleme kronike”, tha Osmani.

Në ndërkoh, para gazetarëve, znj. Osmani ka folur edhe për hyrjen e vaksinave antiCOVID-19 në veri të vendit, ku tha se organet e drejtësisë në vend janë duke e hetuar rastin dhe se ky veprim i Serbisë është shkelje flagrante e marrëveshjes së Brukselit.

“Jemi njoftuar që institucionet e drejtësisë janë duke hetuar rastin. Jo vetëm që është shkelje flagrante e marrëveshjes së Brukselit, por kjo dëshmon që Serbia është nënshkruese dhe kurrë zbatuese e marrëveshjeve”, ka thënë Osmani.

Ajo tha po ashtu se investimi në sektorin e shëndetësisë nuk është investim sektorial, por investim që i prekë të gjitha sektorët e jetës.

“Është një situatë ku jemi në prag të festave. Shumica dërrmuese prej nesh do ta kemi një kohë të shkurtër pushim, e mjekët infermierët çdo ditë kujdesen për pacientët pas asnjë ditë pushim. Në kushte të vështira për punën e tyre në mënyrë që të mbrohet shëndeti i popullatës tonë. Investimi në shëndetësi nuk është investim sektorial por që i prek të gjitha sektorët e jetës. Isha sot këtu që t’i jap përkrahjen e plotë mjekëve dhe infermierëve, ku ndër të tjera kanë humbur dhe kolegët e tyre”, tha ajo.

Znj. Osmani gjatë kësaj vizite që realizoi sot në QKUK mori një kërkesë nga personeli shëndetësor dhe e cila ishte kthimi i vëmendjes nga deputetët në Kuvendin e Kosovës tek prioritetet siç është shëndetësia dhe jo tek investimet në asfalt.

“Kërkesa njëzëri e të gjithë mjekëve ishte që deputetët ta kenë prioritet të tyre shëndetësinë dhe jo investimet në alfat, të cilat janë shumë herë të panevojshme”, ka thënë ndër të tjera, Osmani.

Related posts