Osmani takon Abdixhikun / Falenderon atë për rolin konstruktiv në formimin e institucioneve

Vjosa Osmani, Presidentja e Kosovës, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun.

Presidentja Osmani e ka përgëzuar z. Abdixhiku për rolin konstruktiv të partisë së tij në formimin e institucioneve të reja.

Osmani shtoi se partitë opozitare kanë rol kyç në proceset e rëndësisë së veçantë për vendin, andaj institucioni i Presidencës, sipas saj, do të jetë çdo herë në shërbim të forcimit të bashkëpunimit dhe dialogut mes partive politike.

“Partitë opozitare kanë rol kyç në proceset e rëndësisë së veçantë për vendin. Prandaj, sot prita në takim kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun. E përgëzova atë për rolin konstruktiv që LDK luajti gjatë procesit të përmbylljes së formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Sigurova Abdixhikun që institucioni i Presidencës do të jetë çdoherë në shërbim të forcimit të bashkëpunimit dhe dialogut mes partive politike, me theks të veçantë për temat e interesit kombëtar”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ndërkaq në anën tjetër pas takimit, kryetari Abdixhiku ka shkruar në profilin e tij facebook se takimi me znj.Osmani ishte substancial dhe se LDK do të përkushtojë gjithë potencialin e vet në bërjen e Kosovës vend që e kemi ëndërruar përherë.

“Sot, në orët e pasdites, takova Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu. Zhvilluam një bashkëbisedim të hapur, të drejtë e substancial për temat me interes kombëtar. Lidhja Demokratike e Kosovës, në cilindo kapacitet, do të përkushtojë gjithë potencialin e vet në bërjen e Kosovës vend që e kemi ëndërruar përherë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Tutje, ai ka shkruar “presidentes i urova sukses në promovimin e shtetit, mbrojtjen e Kushtetutës e përfaqësimin e unitetit në vend”.

Related posts