Pas vërshimeve në Malishevë, uji i pijshëm ndotet, bëhet thirrje që tani mos të përdoret

Për shkak të vërshimeve që ndodhën dy ditët e fundit, uji i pijshëm në Komunën e Malishevës është ndotur, kështu ka bërë të ditur Instituti Rajonal i Shëndetit Publik në Prizren.

Ky institut i fton banorët e këtyre anëve të mos përdorin ujin e pirjes.

“Instituti Rajonal i Shëndetit Publik në Prizren, pas analizave të bëra të ujit për pije, me kërkesën e komunës së Malishevës, për sistemet e ujësjellësve në Malishevë, ka rekomanduar që momentalisht uji të mos përdoret për pije, pasi është jashtë parametrave të lejuar, si pasojë e ndotjes nga vërshimet”, thuhet në njoftimin për media të IRShP.

Gjithashtu bëhet e ditur se do të merren masat e nevojshme për pastrimin e ujit, ndërsa komuna u bën apel edhe familjeve që përdorin ujin nga puset.

“Këshilla e njëjtë vlenë dhe për familjet të cilat furnizohen nga puset, pasi momentalisht rekomandohet të mos përdoret uji për pije, deri në një njoftim tjetër”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Related posts