Pasi shkarkohet nga pozita e sekretarit të MI, Izedin Bytyqi flet: “Çdo ditë kam presion nga grupet kriminale”

Sot u raportua se sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi u pezullua nga pozita e tij nga Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi.

Bytyqi nuk kishte treguar më parë nëse kishte pasur presione apo jo në punën që bënte. Ai pasi u pezullua sot nga puna, zgjodhi konferencen për media për të deklaruar se që 11 muaj ka pasur presion nga grupe të ndryshme të interesit, që ai i quan edhe kriminale.

“Prej ditës së parë që jam në Ministri të Infrastrukturës jam ballafaquar me presione të grupe të interesit, të cilat pothuajse e kanë shkatërruar Ministrinë e Infrastrukturës, të cilët kanë bërë presion ndaj zyrtarëve të ministrisë dhe e kanë shti në borxh rreth 300 milionë euro ministrinë. Kjo është arsyeja e pezullimit tim e nuk është arsye e kthimit në punë e Nexhat Krasniqit. Sepse atë nuk e kam kthyer unë, por e ka kthyer Këshillimi i Pavarur i Mbikëqyrësve Civil”, tha Bytyqi në konferencë për media.“Qe 13 muaj, unë çdo ditë jam në presion të këtyre grupeve kriminale. Unë nuk lëshoj pe para kriminelëve dhe 5 pare nuk i jap për ta”, u shpreh ai.

Më tej, Bytyqi thotë se askush nuk mund të thotë që ai i ka kërkuar para dikujt.“Nëse një kompani që ka punuar me Ministrinë e Infrastrukturës del e thotë që Izedin Bytyqi ka lyp pare, më ka kushtëzuar a shantazhuar, unë e mbajë krejt përgjegjësinë, por kjo nuk ka ndodhë dhe këtë e dinë të gjithë zyrtarët e Ministrisë”, tha ai.“Janë disa vendime të Ministrisë që më kanë thanë t’i bëjnë kështu, por unë nuk pranuar, por nuk kisha në detaje”, shtoi ai.


Ai tha se vendimi për shkarkimin e tij është i paligjshëm, pasi siç thotë Bytyqi, ai është emëruar nga Qeveria e Kosovës.

Bytyqi thotë se ai ka ftuar Policinë vet, pasi që Zymer Avdullahu, i cili u emëruar dje si ushtrues detyrë i sekretarit, i kishte zënë zyrë dhe nuk ia ka liruar.“Sot jam ardhë në zyrë, i kam thirrë në takim stafin, drejtorët e departamenteve, kur jam shku në zyrë e kam parë atë personin aty dhe i kam thanë me ma liru zyrën. Ai nuk ka pranuar të largohet dhe e kam lajmëruar Policinë. Janë 20 vet dëshmitarë, madje si komandant, thirrtë dikë dhe i thoshte çoma këtë njësi”, u shprehë ai.

Related posts