PDK prezanton programin e tyre, i premton 1 miliard euro për Ekonominë

Enver Hoxhaj, Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, bashkë me Bedri Hamzën prezantuan të dielën programin për ekonominë të këtij subjekti në rast se fiton në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti.

“Plani ynë i ka dy pjesë. E para, të lehtësojë dhimbjen e qytetarëve të rënduar nga kriza, dhimbje që është rënduar me menaxhimin e keq të pasojave të krizës nga dy qeveritë e vitit të kaluar. Së dyti, ne ofrojmë një pako stimuluese për të ringjallur Ekonominë tonë, e cila do të ketë efekt të menjëhershëm por është edhe projekt afatgjatë. Ne në Kosovë duhet ta kuptojmë,  lidershipi i përgjegjshëm duhet të ketë plan drejt një horizonti që zgjat një dekadë. Kjo është çka programi ynë synon. Kështu arrihet Rimëkëmbja”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt në fokus të tyre është rimëkëmbja ekonomike, dhe në këtë program janë paraparë të ndahen 1 miliard euro për ekonominë.

Aty thuhet se 200 milionë nga to do të shfrytëzohen gjatë këtij viti, si pjesë e ligjit për rimëkëmbje ekonomike derisa 500 milionë mëtojnë t’i ndajnë për kontribute financiare.

Me këtë program, PDK zotohet se do të ketë mbulim 100% të normave të interesit për përkrahje të bizneseve dhe prodhuesve derisa premtojnë edhe rritje prej 40% të pensioneve bazike apo të moshës, dhe 30% rritje për të gjitha llojet e pensioneve tjera, përfshirë ato kontributdhënëse, të invalidëve të luftës, për personat paraplegjik dhe tetraplegjik dhe për veteranët e luftës.

Nga Hoxhaj e Hamza u premtua këtë të diele edhe rritja e pagës minimale nga 170 në 300 euro, shtimin e numrit të inspektorëve të punës dhe amandamentimin e Ligjit të Punës.

Por lidhur me rritjen e pagës minimale nga 170 euro në 300 euro për veteranët e luftës ka reaguar gazetari i ekonomisë, Zekirja Shabani ku përmes një postimi në facebook ka thënë se paga minimale është direkt e lidhur me pagesën e veteranëve dhe pa u bërë pastrimi i listave të veteranëve nuk mund të bëhet as rritja e pagës minimale, për arsye se ashtu është e precizuar me ligj.

“Pagesa e veteraneve është e lidhur direkt me pagën minimale, e cila aktualisht eshte 170 euro, dhe derisa nuk pastrohen listat e veteraneve, ligji e thotë se veteranet duhet te paguhen sa paga minimale. Një rritje e tille, do t’i kushtonte buxhetit afro 200 milionë euro vetëm për veteranet”, ka shkruar Shabani.

Ai po ashtu ka thënë se buxheti i Kosovës nuk mund ta përballojë një pagesë të tillë shtesë, dhe sipas tij, këtë e dinë shumë mirë Bedri Hamza.

“PDK nuk besoj se eshte e gatshme ta sfidoje veten me veteranet”, ka përfunduar ai.

Related posts