Pedagogu Kraki: Nëse vazhdon Qeveria Hoti, Kosovën duhet me mbyll, nuk ka logjikë që ajo të vazhdojë

Nezir Kraki, pedagog në Universitetin e Parisit, analizon situatën politike në Kosovë, ku koalicioni qeverisës i kryeministrit Hoti duket në krizë edhe nga rezultatet e fundit zgjedhore.

Analisti, pedagogu Kraki lidhur me situatën politike në Kosovë ka thënë në një emision televiziv në Shqipëri se Kosova momentalisht ka një qeveri të përgjumur dhe vetëm zgjedhjet e parakohshme do të ishin ato që do ta kthenin legjitimitetin e pushtetit në Kosovë.

“Nëse vazhdon Qeveria Hoti, shtetin e Kosovës duhet me mbyll, nuk ka asnjë logjikë që ajo të vazhdojë. Kjo është një qeveri e tipit “mbama derën pak se po kthehem. Nuk ka kuptimë të qëndrojë Qeveria Hoti, sepse duhet legjitimitet pushteti në Kosovë. Kosovës i duhen zgjedhje më së largu deri në qershorin e vitit që po vjen”, tha Kraki.

Gjatë kësaj interviste, ai foli edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës ku tha se një humbje të tillë të LDK-së në Podujevë ai e kishte parashikuar më herët, qysh nga dalja e LDK-së nga Qeveria Kurti, pasi siç tha ai LDK ju përshtat pazareve politike të Hashim Thaqit.

“Podujeva ishte bastion i LDK-së dhe faktin e humbjes duhet ta lexojmë siç e kisha parashikuar, unë dhe komentuesit publik, neutral. Para 1 viti kur LDK u tërhoq nga qeveria, që realisht ishte legjitime, për ato pazaret politike për t’a kombinuar një pazar politik me Hashim Thaqin, i cili pazar i shkoi shumë keq, edhe popullit të Kosovës, sidomos në kohë pandemie, qysh atëherë kam thënë se LDK do mbetet partia ndër më të fundit”, shtoi Kraki.

Ai tha se momentalisht, përjashto Vjosa Osmanin e cila nuk ishte pjesë e asnjë pazari politik, LDK, sot është pa kredibilitet, pa plan, pa legjitimitet dhe pa vizion, dhe kjo sipas tij u vërtetua në Podujevë.

Ndërsa lidhur me temën e zgjedhjes së Presidentit, Kraki u pyet, nëse kandidatura e z. Haradinaj është e pranueshme për president të Kosovës. Lidhur me këtë nominim të z. Haradinaj për president, Kraki tha se Kosova nuk ka nevojë për president klanorë, të grupimeve familjare, me një funksionim arkaik.

“Nuk ka nevojë për president klanorë, familjarë, me funksionim arkaik, të grupimit familjarë. Z.Haradinaj ka kontribuar shumë, ai dhe familja e tij për Kosovën dhe ne ja njohim kontributin e tij. Por Haradinaj tashmë është privilegjuar në disa raste politikisht dhe tash është koha t’i mbyllim këto pretendime”, ka shtuar gjatë intervistës z. Kraki.

Related posts

Leave a Comment

I accept that my given data and my IP address is sent to a server in the USA only for the purpose of spam prevention through the Akismet program.More information on Akismet and GDPR.