Përmbytje në Kosovë, bizneset e dëmtuara nga vërshimet presin ndihmë nga institucionet

Përveç ekonomive familjare, vërshimet e fundit në Kosovë, sikurse këto në Drenas, kanë shkaktuar dëme edhe tek bizneset e vogla.

“Po të gjitha i kemi të dëmtuara, me rroba, çanta, orë e të gjitha. Është lokal i vogël por ka vlerë sepse kemi futur gjëra mjaft shumë. Kam mall deri në 10 mijë euro. S’kemi çfarë të bëjmë, s’ke as ku ankohesh as asgjë”, u shpreh Xhemajl Elshani, pronar biznesi në Drenas.

“Po nuk e di mua më është prishur më shumë teknika e CD-të sepse ato janë më lart, por më është prishur teknika sepse ka qenë në tokë. Nuk e di, nga komuna s’ka ardhur askush as kurrfarë zgjidhje s’kemi. Tani siç po e shikoni edhe ju, s’ka ardhur askush të na shohë, ujë në të gjitha anët”, tha Bashkim Demaku, pronar biznesi në Drenas.

Nga ana tjetër, komuna e Drenasit ka pak mundësi të bëjnë diçka për bizneset.

Në fakt, komunat i regjistrojnë dhe llogarisin dëmet, të cilat i dërgojnë në qeveri.

 “Dy vitet e fundit është mirë që ministritë kanë ndarë fonde emergjente. Më shumë është kompetencë e nivelit qendror për të ndihmuar këto familje, por shpresojmë në ndihmë edhe kësaj radhe. Pasi që komunat me planifikim të buxhetit, nuk kanë plan të mjaftueshëm emergjent, vetëm rastet ad-hoc siç është rasti i evakuimit të familjeve nëpër hotele që janë strehuar. Ato shpenzime i kryen komuna por jo edhe dëmet që vijnë si pasojë e fatkeqësive natyrore”, tha Bekim Dobra, zëdhënës i komunës së Drenasit.

Në raste të tilla, e gjithë ajo çfarë komunat mund të bëjnë është strehimi për disa ditë i familjeve në hotelet e qytetit.

 “Jo, është nxehtë e me të gjitha të mirat. Na kanë shpëtuar që na kanë sjellë këtu. S’kemi pasur ku të shkojmë. Këtë na e kanë sjellë, nxehtë e kemi, të gjitha i kemi”, tha qytetari Imer Krasniqi.

Kryeministri Avdullah Hoti, gjatë vizitës në disa vende të goditura, deklaroi se qeveria do t’u dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve të prekur nga këto vërshime./Burimi/euronewsalbania.

Related posts