Policia pranon donacion dylbi termike e pajisje tjera nga Gjermania

Policia e Kosovës ka pranuar një donacion me pajisje nga Gjermania me vlerë rreth 240 mijë euro.

Sot është bërë dorëzim – pranimi i donacionit nga Ambasadori gjerman në Prishtinë Joern ​Rohde dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti.

Donacioni i dhuruar përfshin 16 pajisje të shikimit natën, 8 dylbi të imazhit termik, 3 detektorë, si dhe laptopë dhe pajisje trajnimi me vlerë prej më shumë se 240.000 euro.

Mehmeti shprehu falënderimin e tij për ndihmën e ofruar në vazhdimësi për Policinë e Kosovës.

“Pajisjet e dhuruara rrisin efikasitetin e punës operacionale të Policisë së Kosovës, veçanërisht të policisë kufitare dhe kjo gjithashtu ndikon në rritjen e sigurisë për qytetarët tanë. Policia e Kosovës është gjithmonë mirënjohëse për ndihmën e ofruar nga partnerët tanë dhe pajisjet e ofruara sot nga shteti gjerman do të përdoren në mënyrën më të mirë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Policia e Kosovës.

Ndërkaq, ambasadori Joern Rohde me këtë rast tha se është nder i veçantë t’i dorëzojë pajisje Policisë së Kosovës.

“Është një nder i veçantë të dorëzosh pajisje për Policinë e Kosovës duke nënvizuar edhe më tej mbështetjen tonë gjermane për një kohë të gjatë për ndërtimin e kapaciteteve të Policisë së Kosovës”, tha ai.

Sipas Policisë së Kosovës në fund të vitit që lamë pas (2020), Gjermania i dorëzoi Policisë së Kosovës 15 automjete të reja në vlerë prej më tepër se 240.000 euro dhe pajisje/njësi të Certifikimit të Dokumentave për Policinë Kufitare me vlerë më shumë se 60.000 euro.

“Vite me radhë, Policia Federale Gjermane po mbështet Policinë e Kosovës si me pajisje të rëndësishme dhe kapacitete tjera trajnuese, përfshirë edhe rolin e Oficerit ndërlidhës, përderisa gjatë këtij aktiviteti u rikonfirmua se ky bashkëpunim do të vazhdoj edhe më tej”, thuhet në komunikatë./kallxo.com

Related posts