Presidenti i Malit të Zi, Gjukanoviq: Serbia po përsërit gabimet e viteve të 90-ta, të gjithë e dimë epilogun

Milo Gjukanoviq, Presidenti i Malit të Zi, është deklaruar se Serbia tani po sillet ndaj Malit të Zi, ngjashëm siç ishte sjellur në vitet e 90-ta me vendet tjera fqinje, raporton KosovaPress.

Këto deklarata, Gjukanoviq i bëri pas takimit që pati me anëtarët e presidencës së Bosnje Hercegovinës, Zeljko Komsic dhe Sefik Dzaferovic.

“Të gjithë e dimë epilogun e atyre sjelljeve. Kam frikë se do të përsëriten gabimet që janë bërë në të kaluarën”, ka thënë Gjukanoviq.

Ai deklaroi se pikëpamjet e tij të kohëve të fundit janë keqkuptuar vazhdimisht në Beograd.

“Unë kam qenë një nga aktorët politikë të viteve të 90-ta dhe kjo përveç si barrë, është edhe përgjegjësi për mua se si nuk duhet t’i lëmë të na përsëriten gabimet e së kaluarës. Nuk është koha që të përsëriten ato gabime”, shtoi ai.

Gjukanoviq tha se pret një politikë më të përgjegjshme të BE-së dhe Zonës së Atlantikut, në mënyrë që në Ballkan të mos përsëriten gabimet tragjike të së kaluarës.

Pra, Gjukanoviq, i cili në fillim të viteve 90-ta, ishte kryeministër i republikës së Malit të Zi dhe pjesë e reparteve luftarake të Serbisë mban përgjegjësinë e marrjes së vendimeve me rastin e sulmeve të përgjakëshme ndaj republikave të tjera të ish-Jugosllavisë, në veçanti ndaj Kroacisë.

Si pjesë e vendimeve dhe aprovimeve të kryeministrit të atëhershëm Gjukanoviq, ishte edhe mobilizimi i të rinjëve, kryesisht atyre me përkatësi kombëtare shqiptare, me qëllim të dërgimit të tyre në zonat e luftës në Kroaci. Siç dihet shumica e të rinjëve shqiptarë refuzuan pjesëmarrjen e tyre në luftrat e ish-Jugosllavisë dhe u shpallen “dezertorë” nga pushteti i atëhershëm, qka ndikoi në largimin dhe emigrimin e tyre drejt shteteve përendimore me qëllim të shmangies së shërbimit ushtarak,që në atë kohë ishte shërbim luftarak.

Askush deri sot nuk ka dhënë ndonjë përgjegjësi për të tilla sjellje kriminale, për rrezikimin e jetës së shumë shqiptarëve duke i mobilizuar dhe rekrutuar ata kundër vullnetit të tyre për luftrat në ish-Jugosllavi, për nxitjen e dëbimit e mijëra të rinjëve nga trojet e tyre dhe egzodin masiv të të rinjëve shqiptarë, për shkaktimin e dhimbjes dhe traumave mendore të nënave shqiptare, pra për veprimet e tyre anticivilizuese dhe antishqiptare.

Related posts