Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj Liburn Aliut vitin e kaluar, ai tregon se sot e mori vesh nga mediat

Ndoshta është dashur kohë më parë të bëhej ministër, Liburn Aliu për të kuptuar se ai ka një aktakuzë. Pothujse para një viti, Prokuroria Themelore e Prishtinës, saktësisht me 24 korrik 2020 kishte ngritur aktakuzë ndaj Liburn Aliut, sot ministër në Qeverinë Kurti II i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kështu raporton “Betimi për drejtësi”.

Aktakuza e ngritur të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi” e ngarkon Aliun me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Por, Liburn Aliu është prononcuar për mediumin KALLXO.com se nuk është në dijeni se akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pra i bie që pala e cila akuzohet nuk është njoftuar fare dhe as nuk është në dijeni se për qka akuzohet.

Ai ka thënë se për herë të parë po dëgjon për këtë gjë.

“Pas lajmit që pashë sot në disa media në lidhje me gjoja akuzimin tim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, gjatë kohës sa kam qenë Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, ndjehem i obliguar të ndaj këtë reagim. Unë për këtë rast kam dëgjuar për herë të parë nga mediat sot. Marrë parasysh këtë, e kam të pamundur të komentoj mbi substancën e rastit, por mund të them disa fjalë mbi procesin e munguar. Me të lexuar lajmin, kam ndërmarrë hapat e duhur për të konfirmuar këtë çështje. Unë nuk kam qenë dhe akoma zyrtarisht nuk jam në dijeni për asnjë aktakuzë që ekziston ndaj meje. Asnjëherë nuk jam kontaktuar as nga Prokuroria, as nga Gjykata për t’u informuar në mënyrë zyrtare se ekziston ndonjë aktakuzë e ngritur kundër meje. Ngritja e aktakuzës (nëse diçka e tillë është e vërtetë) pa njoftimin tim si palë, është shkelje e procedurës. Dhe për këtë unë do të kërkoj përgjegjësi”, thuhet nga Aliu.

KALLXO.com ka marrë vesh se në një rast me Aliun, të akuzuar janë edhe Ardian Olluri, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka, Mimoza Berisha – Prestreshi si dhe Zejnulla Rexhepi.

Related posts