PSE PALESTINEZËT NUK KANË SHTETIN E TYRE? PESË REFUZIMET E MËDHA ARABE DHE SI IZRAELI FITON VAZHDIMISHT: NJË PAPARELIZËM ME KOSOVËN 


Nga Ridvan Peshkopia

Duke qenë se e majta botërore gjithmonë është rreshtuar në favor të palestinezëve dhe kundër Izraelit (gjatë Luftës së Kosovës u rreshtua kundër shqiptarëve dhe në favor të Milosheviqit) opinioni botëror shpesh merr informacion të deformuar përmes mediumeve që tashmë dihen se kontrollohen nga neomarksistët mediatikë. Kësisoj, po hedh këto shënime për t’u kujtuar lexuesve dinamikat historike në Tokën e Shenjtë. Teksa një luftë është kurdoherë e hidhur, mendoj se i duhet çjerrë maska (ups, kujdes nga gjobat e policisë) gënjeshtrës së të majtës botërore se e drejta historike është në anën e palestinezëve. Historia e 100 viteve të fundit tregon qartë se e drejta historike dhe politike është në anën e Izraelit. Meqë qysh nga viti 1936 palestinezëve u është ofruar një shtet i tyre në pesë raste të ndryshme por në të pesë rastet ata e kanë refuzuar, kjo lehtë na çon në përfundimin se syimi i tyre përfundimtar nuk është ndërtimi i një shteti por shkatërrimi i një shteti tjetër. Ja se çfarë ndodhi.

Me rënien e Perandorisë Osmane, territoret që ajo adminsitronte në Lindjen e Mesme kaluan nën administrimin britanik. Të pakënaqur me qeverisjen nga britanikët, në vitin 1936, arabët që jetonin në territoret ku sot ndodhet Izraeli filluan një fushatë ushtarake guerrilase e cila shënjestronte ushtarakët britanikë dhe banorët hebrenj. Kryengritja u shtyp por britanikët ndërtuan një komision për të përcaktuar shkaqet e saj. Komisioni Peel (sipas Lordit Peel) mbërriti në përfundimin se e vetmja mënyrë që kryengritja të mos përsëritej ishte që territori të ndahej në dy shtete, njeri për arabët dhe tjetri për hebrenjtë. Ndarja propozoi që rreth 80% e territorit të shkonte për arabët dhe vetëm 20% e tij shkonte për krijimin e shtetit të Izraelit. Kongresi Zionist ishte shumë i pakënaqur me planin e ndarjes por e pranoi atë gjithësesi. Të gjitha segmentet e shoqërisë arabe e refuzuan planin. Ky ishte Refuzimi #1.

Mbas Luftës së Dytë Botërore, sipas propozimit britanik, Kombet e Bashkuara hartuan një plan të ri ndarjeje, të cilin e miratuan në Nëntor 1947. Plani ndarës kësaj here ishte disi më i favorshëm për hebrenjtë, por përsëri larg asaj çka ata aspironin. Këta të fundit e pranuan, ndërsa arabët e hodhën poshtë dhe u hodhën në një fushatë ushtarake kundër hebrenjve. Në atë çka izraelitët e njohin sot si Lufta e Pavarësisë, njësitet e sapoformuara ushtarake izraelite mundën ushtritë e Egjiptit, Jordanisë, Irakut, Libanit dhe Sirisë. Refuzimi arab solli humbjen ushtarake të tyre, krijimin e shtetit të Izraelit dhe një valë refugjatësh arabë të cilët u larguan ose të frikësuar ose të detyruar nga forcat izraelite. Këtu nisi ai që sot njihet si “problemi i refugjatëve.” Shumica e territorit të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për krijimin e një shteti arab u pushtua nga Jordania. Ky ishte Refuzimi #2.

Në Qershor 1967, Izraeli u dha një goditje paraprake ushtrive të Egjiptit, Jordanisë dhe Sirisë bazuar në informacionin se ato po përgatiteshin për një sulm të përbashkët kundër Izraelit. Në atë që njihet sot si Lufta e Gjashtë Ditëve, Izraeli korri një fitore ushtarake të pabesueshme, pushtoi Bregun Perëndimor të Lumit Jordan dhe Jeruzalemin, kryeqytetin historik të hebrenjve. Qeveria izraelite paraqiti dy propozime se çfarë do të bëhej me territoret e pushtuara. Propozimi i parë ishte që Bregu Perëndimor t’i kthehej Jordanisë dhe Gaza t’i kthehej Egjiptit në shkëmbim të paqes dhe njohjes të shtetit të Izraelit. Propozimi i dytë ishte që ato t’u jepeshin banorëve arabë vendas që ata të ndërtonin aty shtetin e tyre. Izraeli vendosi të mos e lëshonte Jeruzalemin. Pak muaj më vonë, Lidhja Arabe u mblodh në Sudan dhe shpalli tre JO-të: JO paqe me Izraelin; JO njohje të Izraelit; JO negociata me Izraelin. Ky ishte Refuzimi #3.

Në vitin 2000, kryeministri izraelit Ehud Barak dhe kryetari i Organizatës për Çlirimin e Palestinës Jaser Arafat u takuan në Kemp Dejvid për të negociuar nën kujdestarinë e presidentit amerikan Bill Klinton një marrëveshje paqeje e cila do përfundonte me zgjidhjen dyshtetërore. Qysh prej fillimeve të viteve 1960a, Jaser Arafati kishte kombinuar rezistencën e armatosur me përpjekjet politike për ndërtimin e një entiteti të ri kombëtar, palestinezët. I panjohur më parë, qysh prej asaj kohe ky term përdoret tani për të emërtuar banorët arabë në Tokën e Shenjtë. Baraku i ofroi Arafatit një shtet i cili do përfshinte krejt Gazën dhe 95% të Bregut Perëndimor, me Jeruzalemin Lindor si kryeqytet. Arafati e refuzoi ofertën, sepse ai donte edhe gjithë Jeruzalemin. Sipas fjalëve të Presidentit Klinton, “Arafati qëndroi këtu 14 ditë dhe tha “jo” për gjithçka.” Përgjigja palestineze ishte Intifada, një fushatë e përgjakshme sulmesh terroirste e drejtuar kryesisht kundër civilëve izraelitë, e cila shkaktoi vdekjen e më shumë se 1000 prej tyre dhe gjymtimin e mijra të tjerëve. Ky ishte Refuzimi #4.

Në 2008, kryeministri Ehud Olmert i bëti një tjetër ofertë udhëheqësit të ri palestinez. Mahmud Abas (https://www.jewishvirtuallibrary.org/ehud-olmert-s-peace-offer) Oferta ishte shumë më e mirë për palestinezët se sa ajo që u kishte ofruar atyre më parë kryeministri Jitzhak Rabin, e cila i kushtoi këtij të fundit jetën në një atentat nga një nacionalist izraelit. Olmerti e paralajmëroi Abasin se ai nuk do merrte ndonjë ofertë më të mirë se aq për 50 vitet e ardhëshme. Abasi e refuzoi ofertën. Ky ishte Refuzimi #5.

Sot, zgjidhja dyshtetërore duket gjithmonë e më e pamundur dhe madje edhe shumica e palestinezëve nuk besojnë më në të. Në këtë pikë, konflikti ka hyrë në një pikë të vdekur pasi askush nuk ka më propozime funksionuese. Vendosmëria e Izraelit për të mbrojtur shtetin e vet dhe paftësia e palestinezëve për të kuptuar dhe pranuar se ata janë humbës në konflikt dhe, si humbës duhet të pranojnë kompromise të dhimbshme, ka dobësuar gradualisht prej dekadash opsionet e tyre. Kur fati (apo zgjedhjet e gabuara të palestinezëve) i mallkoi arabët me udhëheqës dritëshkurtër, fati (apo zgjedhjet e drejta) i bekuan hebrenjtë me politikanë dhe ushtarakë të talentuar.

Në Shkurt 1999, disa djem fshatarë nga Kosova (dhe një dekor eklektik intelektual rreth tyre) u thirrën në Rambuje të Francës për të firmosur një marrëveshje paqeje me Serbinë. Ata djem fshatarë me një kurajo dhe imagjinatë politike të pabesueshme, firmosën një marrëveshje paqeje e cila i jepte popullit të tyre përjetësisht të terrorizuar shumë më pak nga sa ata kishin aspiruar, ashtu si edhe hebrenjtë përjetësisht të terrorizuar pranuan edhe minimumin e mundshëm, mjafton të kishin mundësi të fillonin shtetin e tyre. Por mençuria dhe pjekuria politike e atyre djemve kurajozë tregoi se lufta e tyre nuk ishte luftë e padrejtë por luftë për çlirim. Në kushtet kur populli i tyre rrezikohej me shfarosje, sjellja e tyre pragmatiste i dha një mesazh të qartë bashkësisë ndërkombëtare se me ata djem mund të punohej. Largpamësia e përfaqësuesve modestë të UÇK-së duhej të kishte shërbyer për gjithkënd si paralajmërim se këta të rinj luftëtarë mbartnin në vetvete talentin e politikanit (tek e fundit, sipas Fon Klauseviçit, lufta është vazhdimi politikës me mjete të tjera). Firma e tyre, shoqëruar me mosfirmosjen nga Serbia, ndryshoi fatin e Kosovës përgjithmonë. Kur fati (apo zgjedhjet e gabuara të serbëve) e mallkoi Serbinë me Milosheviqin, fati (apo zgjedhjet e drejta të shqiptarëve) e bekuan Kosovën me UÇK-në dhe udhëheqësit e saj të talentuar. Shumë ngjashëm si edhe izraelitët…/Israeli Sot

Related posts