Qeveria anulon vendimin e kryesisë së Bordit të ZRre-së për arsye të mos-përmbushjes së kritereve/ Kurti inkurajon profesionistët e fushës të konkurojnë

Sot Qeveria e Albin Kurtit ka anuluar një vendim të mëparshëm. Bëhet fjalë për vendimin e kryesisë së Bordit të ZRrE-së me ç’rast Qeveria e Kosovës i pati propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Në mbledhjen e qeverisë u tha se arsyeja e anulimit të këtij vendimi ishte se në mesin e kandidatëve të dërguar për votim në Kuvend kishte kandidatë që nuk i përmbushin kriteret e përcaktuara me nenin 6, paragrafi 2, nën paragrafi 3, të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë.

Për këtë çështje ka shkruar në profilin e tij në facebook, kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Lexoni të plotë postimin e kryeministrit:

Ne kemi një regullator të energjisë që duhet të jetë i pavarur dhe i fuqishëm, kështu mundësohet kufizimi i ndikimit të paautorizuar në vendimmarrje dhe sigurohet stabilitet në regjimin rregullator.

Vendimet e këtij institucioni kanë ndikim direkt në jetën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, në konkurrueshmërinë e prodhuesve e sipërmarrësve tanë, në çmimin e furnizimin me energji, por edhe në mjedisin në të cilin jetojmë.

Duke marrë parasysh fuqinë dhe përgjegjësinë e këtij institucioni si dhe natyrën tekniko-profesionale të rregullimit të këtij sektori, duhet të sigurohemi që Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) drejtohet nga profesionistët më të mirë të fushës që i kemi.

Rihapja e konkursit ka dobinë e rritjes së numrit të aplikantëve cilësorë për këto pozita. Konsiderojmë se kjo vlen posaçërisht në kontekstin e një ndryshimi të madh shpresëdhënës në Kosovë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Me këtë rast inkurajojmë të gjithë profesionistët e fushës, përfshirë bashkatdhetarët nga mërgata, që të konkurrojnë për këto pozita. Prandaj edhe morëm vendimin e sotëm përkatës në mbledhjen e Qeverisë.

Related posts