Qeveria e Kosovës i reagon Borellit: “Takimi në mes Kosovës dhe Serbisë me 11 maj mund të jetë dakordim me Beogradin por jo me neve/ Andaj datat dhe vendet kanë kuptim vetëm kur merremi vesh”

Përparim Kryeziu, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, është deklaruar lidhur me datën e dhënë nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë së BE’së, Josep Borell, për vazhdim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeziu ka thënë se data 11 maj e përmendur nga Borell nuk iu është kumtuar Zyrës së Kryeministrit, gjë të cilën e ka cilësuar si të njëanshme.

Këto komente, Kryeziu i ka bërë përmes një postimi në ‘Facebook’, derisa ka njoftuar se nesër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeminstrin Bislim Bislimi dhe zëvendëskryeministren Donika Gërvalla do e vizitojnë Brukselin.

“Zyra e Kryeministrit nuk ka marrë kurrfarë ftese as njoftimi për takim mes Kosovës e Serbisë më 11 maj. Ndoshta, kjo mund të ketë qenë ideja apo edhe dakordimi me Beogradin, por jo me neve”, ka shkruar Kryeziu në postimin e tij.

“Kryeministri Kurti udhëton nesër në Bruksel, bashkë me zëvendëskryeminstrin Bislimi dhe zëvendëskryeministren Gërvalla, për takime bilaterale me krerët e institucioneve të BE-së dhe me kreun e qeverisë belge. Datat, vendet dhe agjendat e takimeve kanë kuptim dhe zbatim kur merremi vesh, jo kur imponohen njëanshëm”, thuhet tutje.

Related posts