Qeveria Kurti II, politikanët e korruptuar prapa grilave

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot ka reaguar ashpër ndaj atyre që keqqeverisën Kosovën për 20 vite. Ai paralajmëron hetime ndaj ndërtuesve të rrugëve, pronarëve të gurthyesve, inspektorëve, mbikqyrësve dhe politikanëve të korruptuar.

Kurti, këtë reagim e bëri pas vërshimeve të fundit që pësoi Kosova nga reshjet e vazhdueshme të shiut ku doli në pah ndërtimi pa standarde inxhinierike të rrugëve.

Përmes një postimi në facebook, Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e cilësoi situatë të rëndë për Kosovën përballjen me vërshimet e shiut ditëve të fundit.

Në shkrimin e tij, Kurti tutje shkruan se me keqardhje e mësoi se edhe shtëpia muze e nënës Ferdonije Qerkezi është dëmtuar nga vërshimet, që kanë prekur gjithë Gjakovën, Gjilani, Drenasi, Ferizaji, Fushë-Kosova, Vushtrria, Klina, Malisheva, Lipjani, Prizreni e komuna tjera dhe disa vende në Prishtinë.

Në reagimin e z. Kurti thuhet se shiu që rrëmbeu Kosovën ditët e fundit ka nxjerrë në pah dështimet e keqqeverisjes 20 vjeçare. Ai asfalt, thuhet në postim, me të cilin partitë e vjetra duan të marrin vota, u rishfaq si të ishte një qilim i lagur.

Por shiu ka nxjerrë në pah edhe dështimet e keqqeverisjes 20 vjeçare. Asfaltit me të cilin partitë e vjetra duan të marrin vota, u rishfaq si të ishte një qilim i lagur. Rrugët u prishën prej shembjeve të dheut, e të gjithë pamë se shtresa e asfaltit ishte e hollë dhe mungonin bazamentet siç i kërkon standardi inxhinierik. Pyjet janë prerë pa kontroll e pa plan. Brigjet e lumenjve janë rrënuar nga eksploatimet e egra të zhavorit. Gurthyesit pranë rrugëve të asfaltuara kanë eliminuar mbrojtjen që ofrojnë kodrinat për shtigjet qarkulluese“, shkruan ndër tjerash z. Kurti

Ai i bën thirrje prokurorisë që menjëherë të hap hetimet ndaj atyre që ndërtuan rrugët, pronarët e gurthyesve, inspektorët e mbikqyrësit, por edhe për politikanët që kanë shpallur e kanë marrë vendim për tenderët dhe për konkurset.

Ne do të insistojmë që Prokuroria menjëherë të hap hetimet për ndërtuesit e rrugëve, pronarët e gurthyesve, inspektorët e mbikqyrësit, por edhe për politikanët që kanë shpallur e kanë marrë vendim për tenderët dhe për konkurset. Është marre dhe është mëkat që me taksat e këtij populli të paguash çmimin shumë të shtrenjtë për rrugët krahasuar me rajonin, e në fund ato të jenë të cilësisë më të dobët“, shkruan Kurti.

Lexoni pa ndërhyrje reagimin e z. Kurti:

Është alarmuese situata në të cilën gjendet Kosova pas reshjeve të mëdha e vërshimeve që pasuan. Rrallë ka mbetur ndonjë vend ku nuk janë bllokuar e nuk kanë shpërthyer kanalizimet, ndërkohë që gjithë kompanitë rajonale të ujësjellësit po aplikojnë kufizime, sepse fabrikat e ujit nuk po mund ta përballojnë pastrimin e ujit të turbulluar prej vërshimeve.

Mësova me keqardhje se edhe shtëpia muze e nënës Ferdonije Qerkezi është dëmtuar nga vërshimet, që kanë prekur gjithë Gjakovën. Gjilani, Drenasi, Ferizaji, Fushë-Kosova, Vushtrria, Klina, Malisheva, Lipjani, Prizreni e komuna tjera dhe disa vende në Prishtinë po ashtu janë vërshuar gjatë ditëve të fundit. Dëmtime kanë pasur shumë ferma bujqësore e blegtorale, por edhe katet e para, banesa e lokale tregtare nëpër qytete. Janë dëmtuar edhe automjete e prona të tjera të qytetarëve.

Përballë forcave të natyrës njeriu është shpesh i vogël për t’u mbrojtur, e megjithatë, shtetet e organizuara mirë dallojnë prej të tjerave pikërisht sepse janë të përgatitur me dije e me struktura për të administruar me sa më pak kosto edhe probleme të tilla.

Populli i Kosovës, këtë organizim funksional dhe këtë përkujdesje e mbrojtje, me të drejtë e kërkon dhe e pret nga shteti i vet.

Por shiu ka nxjerrë në pah edhe dështimet e keqqeverisjes 20 vjeçare. Asfaltit me të cilin partitë e vjetra duan të marrin vota, u rishfaq si të ishte një qilim i lagur. Rrugët u prishën prej shembjeve të dheut, e të gjithë pamë se shtresa e asfaltit ishte e hollë dhe mungonin bazamentet siç i kërkon standardi inxhinierik. Pyjet janë prerë pa kontroll e pa plan. Brigjet e lumenjve janë rrënuar nga eksploatimet e egra të zhavorit. Gurthyesit pranë rrugëve të asfaltuara kanë eliminuar mbrojtjen që ofrojnë kodrinat për shtigjet qarkulluese.

Ne do të insistojmë që Prokuroria menjëherë të hap hetimet për ndërtuesit e rrugëve, pronarët e gurthyesve, inspektorët e mbikqyrësit, por edhe për politikanët që kanë shpallur e kanë marrë vendim për tenderët dhe për konkurset. Është marre dhe është mëkat që me taksat e këtij populli të paguash çmimin shumë të shtrenjtë për rrugët krahasuar me rajonin, e në fund ato të jenë të cilësisë më të dobët.

Të varfëruar prej shekullit të pushtimit, të plaçkitur prej politikave neoliberale të pasluftës, të dobësuar prej krizës ekonomike e prej izolimit, e në vitin e fundit të rënduar edhe prej pandemisë, tash edhe shirat e vërshimet, shtoju këtyre edhe korrupsionin, kjo është një barrë shumë e madhe për bashkëqytetarët tanë.

Megjithatë, jemi optimistë sepse keqqeverisjen e krimin do t’i largojmë prej pushteti, e dalëngadalë do të punojmë së bashku me të gjithë ata që e duan punën e ndershme, që e respektojnë ligjin, që të forcohemi si vend. Puna dhe organizimi do t’i kthejnë gjërat kah e mbara.

Related posts