Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike, KESCO përmes një njoftimi për media ka njoftuar se nga janari deri në maj, qytetarët do të kenë zbritje në faturat e energjisë elektrike. Kjo sipas KESCO bëhet e mundur bazuar në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, që e parasheh edhe subvencionimin e konsumatorëve të energjisë elektrike.
“Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike parasheh edhe subvencionimin e konsumatorëve të energjisë elektrike. Pjesa e energjisë elektrike që ata paguajnë për energjinë elektrike që e marrin nga prodhuesit e energjisë nga burimet e ripërtëritshme do të subvencionohet. Kjo, pasi qeveria në bazë të ligjit ka ndarë një shumë deri në 16 milionë euro, e cila do t’u jepet atyre prodhuesve përmes KOSTT-it. Pra, mjetet do të derdhen në këtë kompani e nga aty tek prodhuesit. Kjo do të zgjasë nga janari deri në maj. Kjo nënkupton që shuma që e përfitojnë këta prodhues, do t’u zbritet konsumatorëve”, thuhet në njoftim.
Qeveria ka ndarë 16 milionë euro për pesë muajt e parë të vitit, që do t’u jepen prodhuesve të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, e kjo do të ndikojë në subvencionim të qytetarëve.
Në bazë të kalkulimeve del që konsumatorëve do t’ iu zbritet në faturat e tyre çmimi prej 0.0061 cent për kilovat/orë të shpenzuar nga tash deri në maj. Kjo nënkupton që nëse një konsumator ka shpenzuar 1000 kilovat/orë gjatë 1 muaji, fatura do t’i vije 6.1 euro më lirë.