Reduktime të ashpra të ujit në Prishtinë

Ka dy ditë që Fushë Kosova e disa lagje të Prishtinës po përballen me mungesë të ujit të pijshëm.

Qytetarët të revoltuar me këtë gjendje edhe 20 vite pas luftës, në vazhdimësi kanë dërguar ankesa për këtë gjendje në të cilën ndodhen.

Në lidhje me këtë situatë KRU “Prishtina”, ka njoftuar se  për shkak të situatës së krijuar së fundmi nga niveli i lartë i turbullirës në kanalin e Ibër Lepencit, kanal prej të cilit merret uji i pa përpunuar për tu trajtuar pastaj për pije ( ITUP Shkabaj / që si pasojë është jashtë funksionit ), e kanë të pamundur trajtimin e ujit për pije konform standardeve dhe teknologjisë që posedojnë.

“Në mënyrë që të bëjmë shpërndarje të barabartë të ujit për të gjithë konsumatorët dhe që, fokusi i mosfurnizimit me ujë të mos jenë vetëm zonat që furnizohen nga ITUP Shkabaj, ju njoftojmë me orarin e reduktimeve për këto zona :

Nga ora 11:00-16:00 me reduktime nga dita e sotme do të jenë: Bregu i Diellit, banesat e bardha, Mati 1, Zllatari, Kolovica, Sofalia, Tasligje, Ulpiana, Kodra e Trimave, Arbëria, Lagjja e Spitalit, lagjja e Universitetit, Konviktet, Hajvalia, Graëanica dhe Veterniku”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, duke filluar nga ora 12:00-16:00  reduktime të ujit do të kenë vetëm pikat e larta të qendrës së Prishtinës, Dardania , Lakrishtja, lagjja Pejton dhe Kalabria.

Ndërsa, me reduktime nga ora 11:00-17:00 do të jenë të gjitha fshatrat që gravitojnë përgjatë gypit magjistral Albanik-Podujevë.

E tërë kjo siç bëhet e ditur po realizohet për t’iu mundësuar furnizim zonave më të prekura nga turbullira e ujit në kanalin e Ibrit.

Deri në njoftimin e radhës, mbetemi me këto reduktime.

Ju falënderojmë për mirëkuptim!

Related posts