SHBA dërgon në Norvegji aeroplan bombardues, mesazh për Rusinë

Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë dërguar për herë të parë avionë bombardues B-1 në Norvegji, për t’i dërguar një mesazh të qartë Rusisë se ushtria amerikane, do të mbrojë aleatët e saj në rajonin e Arktikut, ndaj çdo agresioni të Moskës pranë kufirit norvegjez.

Sipas burimeve të CNN-it, 4 avionë B-1 dhe rreth 200 personel i forcave ajrore janë dërguar në bazën ajrore Orland të Norvegjisë. Deri tani, misione të tilla në Arktik ishin lënë në dorë të Mbretërisë së Bashkuar.

Komandati i Forcave Ajrore amerikane në Evropë dhe Afrikë, gjenerali Jeff Harrigian, u shpreh: “Aftësia dhe gatishmëria jonë operacionale për të mbështetur aleatët dhe partnerët, si edhe aftësia për t’u përgjigjur shpejt, janë të rëndësishme për të pasur sukses”.

“Investimet e fundit ruse në Arktik përfshijnë një rrjet asetesh sulmuese ajrore dhe një sistem raketor bregdetar”, paralajmëronte Barbara Barret, sekretare e Forcave Ajrore gjatë administratës së Trumpit.

Muajt e fundit, Pentagoni ka dërguar avionë bombardues B-52 në Lindjen e Mesme, për të treguar aftësinë e SHBA-së për të bërë lëvizje të shpejta ushtarake në rajonet e tensionuara.

Related posts