SHBA, Gjykata e Lartë rrëzon padinë e presidentit Trump

Gjykata e Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rrëzoi padinë e Presidentit Donald Trump për të shpallur të pavlefshme fitoren e zgjedhjeve nga Joe Biden duke i dhënë kështu fund përpjekjeve të tij ligjore për të kundërshtuar rezultatin.

Trump shkroi në Twitter të premten se “Gjykata e Lartë na la në baltë. Pa urtësi, pa kurajo!”.

Stafi elektoral i Trump këmbënguli prej 4 nëntorit se fitorja e Joe Biden ishte rezultat “i manipulimeve masive të votave” dhe se ata do ta kundërshtonin duke iu drejtuar rrugëve ligjore.

Çështja ka të bëjë me rezultatin e katër shteteve, Xhorxhias, Miçiganit, Pensilvanisë dhe Uiskonsin. Në të katër këto shtete fitues qe shpallur Biden, mirëpo Trump iu drejtua gjykatave përmes delegatëve republikanë, ka njoftuar euronewsalbania.

Pas rrëzimit të çështjes në gjykatat e shteteve dhe gjykatën federale të shkallës së parë, çështja u kalua në Gjykatën e Lartë ku ajo u paraqit nga shteti i Teksasit përmes kërkesës së 18 prokurorëve dhe 106 kongresmenëve republikanë.

Mirëpo Gjykata e Lartë doli në përfundimin se Teksasi “nuk kishte të drejtë ligjore për ta paraqitur këtë çështje pasi nuk ka juridiksion në organizimin e zgjedhjeve të katër shteteve të kontestuara”.

“Gjykata rrëzoi me të drejtë padinë e paligjshme, antidemokratike dhe ekstreme për të hedhur poshtë miliona vota të amerikanëve,” – u shpreh kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi.

Më parë Gjykata e Lartë pati rrëzuar një çështje të ngjashme të ngritur nga republikanët e Pensilvanisë.

Vendimi vjen pak ditë përpara se më 14 dhjetor, Kolegji Zgjedhor të mblidhet dhe të mandatojë Joe Biden-in si president i ardhshëm i SHBA-së, pasi ky fitoi 306 nga 270 delegatë të nevojshëm.

Related posts