SHESHI I KRIMIT / Kurti kujton masakrën e Dubravës / Ajo filloi me bombardimet e NATO-s me 19 maj për të përfunduar me 22 maj ku paramilitarët serb vranë 170 persona e i plagosën mbi 300 të tjerë

Ishte data 19 maji viti 1999 ku forcat e NATO-s filluan bombardimin në burgun e Dubravës, saktësisht mbi pavijonin C duke lënë kështu tre të vdekur e shumë të lënduar. Bombardimet vazhduan edhe në pavijonin e zbrazët, pra në mes ati C dhe B. NATO bombardoi për dy ditë për aq sa u vranë 30 të burgosur.

Ndërkaq dita e zezë për shumicën e të burgosurve ishte pikërisht mëngjesi i 22 majit. Aty në fushën e futbollit të bërë nga betoni në burgun e dubravës e gjetën vdekjen nga paramilitarët serb një pjesë e madhe e të burgosurve, e shumë të tjerë u lënduan me plagë të rënda.

Në atë fushë mbetën të vrarë 170 persona, kurse 300 të tjerë ishin plagosur.

Tentimet e paramilitarëve serbë për t’i asgjësuar të gjithë të burgosurit ishin të ndryshme. Ata krijonin situate paniku, në mënyrë që të burgosurit të arratisen dhe më vonë të vriten.

Nga disa të mbijetuar kanë treguar se kur kishte bombarduar NATO, ishin krijuar disa vrima në mur. Ndërkaq me këtë rast ishte krijuar një situatë për të cilën shumë të burgosur kanë shpresuar se mund të arratisen përmes atyre daljeve. Thuhet se njëri njëherë kishte dalë dhe ishte kthyer, pra kishte lënë variantin alternativ që mund të arratiseshin dhe mos ti kapë askush. Mirëpo është vërtetuar e kundërta, sepse kur disa kanë dalë në fund nga burgu i kanë parë trupat e pajetë të atyre që kanë tentuar të arratisen.

Sot, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 22 vjetorin e Masakrës së Dubravës. Ai në facebookun e tij ka postuar një nga dëshmitë e të burgosurve.

“Duhej të qëndronim në një rresht në një fushë betoni të futbollit rrethuar me roje. Rreth 100 njerëz ishin në një rresht. Qëndruam aty për dhjetë minuta, derisa ishim renditur të gjithë në një rresht. Pastaj, një burrë u ngjit në njërën nga kullat dhe dha urdhër për gjuajtje. Ne pamë gjithçka. Ishte një gjuajtje e njëtrajtshme njëzetminutëshe nga muret e larta 5 metra. Dhe gjithçka ishte e parapërgatitur. Mbanin në duar armë të llojeve të ndryshme. Gjuanin nga muret. Ranë bomba mbi secilin dhe njerëzit fluturonin. Kaosi ndodhi ndërsa të burgosurit iknin për t’u fshehur në ndërtesat e ndryshme të burgut, bodrumet e tyre ose sistemin e kanalizimeve të burgut.” Kjo është vetëm një nga dëshmitë e shumta nga Burgu i Dubravës”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se Masakra e Dubravës është trajtuar vetëm në procedurën gjyqësore kundër Millosheviqit.

Kurti tutje shkruan se sot nuk shihet asnjë gjurmë nga kjo masakër pasiqë këto pavijone të cilat do të duhej të ishin pasqyrë e tmerrit serb, ishin ndër të parat që janë rindërtuar menjëherë pas luftës duke pamundësuar kështu ruajtjen e gjurmëve për kujtesën e brezave.

“Masakra e Dubravës është trajtuar vetëm në procedurën gjyqësore kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës, proces ky i cili ka mbetur i papërfunduar. Sot nuk shihet asnjë gjurmë nga kjo masakër, meqë pavijonet e Burgut të Dubravës kanë qenë ndër të parat që janë rindërtuar menjëherë pas luftës, duke pamundësuar kështu ruajtjen e gjurmëve dhe ngjarjeve që do të na shërbenin për kujtesën kolektive”, ka shkruar ai.

Related posts