Shpejtim Bulliqi, kryetari i Podujevës, i dalë nga zgjedhjet e fundit që u mbajtën në këtë komunë ka reaguar përmes një postimi në facebook pasi u anulua projekti i ndërtimit të Spitalit në këtë qytet.
Bulliqi përmes një postimi ka bërë të ditur se i ka shkruar letër ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtorit të ShKSUK-së, Valbon Krasniqi ku ka shprehur indinjatën e thellë për anulimin e projektit.
“Sot i kam dërguar shkresë zyrtare ministrit në detyrë të Shëndetësisë, z.Armend Zemaj, dhe drejtorit të SHSKUK-së, z.Valbon Krasniqi, ku kam shprehur indinjatën e thellë time dhe të qytetarëve të Komunës së Podujevës për anulimin e projektit për ndërtimin e Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës”.
Bulliqi tutje shkruan se “Ministri Zemaj muaj më parë në kohë të fushatës elektorale së bashku me ekzekutivin e asaj kohe, në konferencë për media patën prezantuar edhe projektin për Spitalin e Podujevës, por tani Qeveria në detyrë ka anuluar të gjitha procedurat për Spitalin i cili është jashtëzakonisht i nevojshëm për qytetarët e Komunës sonë. Kjo nuk mund të jetë tjetër veçse hakmarrje ndaj qytetarëve të Podujevës për vullnetin e shprehur në mënyrë të lirë e demokratike – me votë, në zgjedhjet komunale të 29 nëntorit”.
Ndërkaq dje u bë e ditur se Sektori i Prokurimit të Shërbimit Spitalor të Klinikës Universitare të Kosovës (SHSKUK) edhe pse ka shpallur tender për ndërtimin e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë, kjo është anuluar pasi Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë buxhet për këtë projekt.
Në vendim thuhet se mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021 për projektin “Ndërtimi i spitalit të Përgjithshëm në Podujevë”, nuk janë ndarë mjete financiare.
