Sot dalin para gjykatës 11 të dyshuarit për ryshfet me subvencione

Është e ditur se Prokuroria Themelore e Prishtinës kërkoi masën e paraburgimit për 11 personat e arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti. Ata sot dalin para gjykatës në Prishtinë.

Për mediumin Kallxo.com është prononcuar, zëdhënësja e Gjykatës Mirlinda Gashi e cila ka njoftuar se gjyqtari i cili do të vendos për masën e paraburgimit është Naser Foniqi.

Rreth 433 mijë e 160 euro janë konfiskuar, 600 dollar, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona, 8 vetura, një kompjuter, pesë armë, një USB dhe një vulë janë konfiskuar gjatë bastisjeve që kanë ndodhur ditën e djeshme nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Dhjetë nga të arrestuarit gjatë ditës së mërkurë janë edhe zyrtarë institucional të cilët u arrestuan në disa lokacione të ndryshme. Prokuroria ka njoftuar se nga 12 të arrestuarit sa kanë qenë dje, njëri nga ta vetëm është shoqëruar në polici e më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Prokuroria ka njoftuar se për cilat vepra saktë po dyshohen të arrestuarit.Personat me inicialet S. Sh., L. S., H. M., B. N., K. Z. dhe A. U., dyshohet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, personat me inicialet D. A., P. K., Sh. K., K. B- S., dyshohen se kanë kryer veprat penale “Dhënie e ryshfetit”, dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe për personin me inicialet S. S., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme, Prokuroria ka njoftuar se janë arrestuar edhe nëntë persona të tjerë lidhur me aksionin në Ministrinë e Bujqësisë.

Related posts