Sot merret vendimi i gjykatës për Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Sot shpallet vendimi lidhur me vrasjen e Donjeta Pajazitit e cila ishte privuar nga jeta me dy plumba në kokë nga kushëriri i saj Naser Pajaziti. Naser Pajazitaj, i cili akuzohet se e ka vrarë Donjeta Pajazitajn sot pritet të marrë verdiktin e tretë gjyqësor nga Gjykata e Ferizajt.

Prokurorja nga Peja Valbona Dishaj-Haxhosaj, ka kërkuar dënimin maksimal ndaj të akuzuarit, kurse avokati mbrojtës Gëzim Kollqaku ka kërkuar që i akuzuari Pajazitaj të lirohet nga akuza për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Por për këto akuza, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila kishte vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim. Pas rigjykimit Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Gjykata e Pejës kishte kërkuar që të përjashtohet nga ky rast pasi kishte marrë dy vendime skajshmërisht të ndryshme, me njëri tjetrin, me njërin duke e liruar, kurse me vendimin tjetër e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.Tani, pasi Gjykata Supreme i kishte prishur të dy vendimet e Gjykatës së Pejës (edhe atë të lirimit edhe atë të dënimit me burgim të përjetshëm), lënda është duke u gjykuar në Gjykatën e Ferizajt.

Shpallja e vendimit lidhur me këtë rast do të bëhet sot në Gjykatën e Ferizajt duke filluar nga ora 13:00.

Related posts