Sot pritet që Kosova të bëhet me president

Pas dy tentimeve të dështuara të seancës, sot në Kosovë me të drejtë qytetarët e këtij vendi presin ta kenë presidentin/en e tyre të zgjedhur me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e këtij kuvendi të zgjedhur me votat e qytetarëve aty për të përmbushur obligimin e tyre ligjor pritet që sot ti japin fund sagës së zgjedhjes së presidentit të ri, duke filluar kështu nga ora 17:00 ku pritet të vazhdojë seanca.

Kandidatët, Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta janë të propozuar për president.

Kujtojmë se të shtunën Kuvendi i Kosovës u mblodh për ta zgjedhur të parin e shtetit, por që nuk arriti pasi mungonte kuorumi i nevojshëm.

Edhe pse Lidhja Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga kryetari i sapozgjedhur Lumir Abdixhiku ia kishte premtuar Osmanit bërjen e kuorumit, deputetët Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj, nuk morën pjesë në votim.

Vlen të theksohet se ambasadorë të shumtë ndërkombëtarë të shteteve të mëdha në Kosovë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë pasur thirrje të shumta për të shmangur zgjedhjet e reja. Megjithatë, thirrjet e tyre që deputetët të marrin pjesë në votim nuk u përfillën.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott ishte i pari që reagoi ndaj mos prezencës së deputetëve. Abbot ju kërkoi që deputetët të marrin përgjegjësinë që u takon dhe të mos lejojnë dërgimin e vendit në zgjedhje. Ai ua kujtoi atyre që “të mbrosh demokracinë dhe institucionet nënkupton edhe të marrësh pjesë në zgjedhjen e presidentit”.

Të njëjtat thirrje i kanë bërë edhe ambasadorët e tjerë të shteteve të QUINT-it. Teksa ShBA-ja kërkoi nga deputetët që të marrin pjesë në votim, Franca ka theksuar nevojën e Kosovës për institucione funksionale e të qëndrueshme. Më i drejtpërdrejtë ka qenë ambasadori italian, Nicola Orlando. Ai ka thënë se “bojkotimi i kësaj procedure nuk i sjell dobi askujt”.

Votimin për president, deputetëve ua kanë kërkuar edhe analistë e përfaqësues të shoqërisë civile.

Instituti Demokratik i Kosovës e cilësoi si zhvillim të paprecedent përsëritjen e dyfishtë të rundit të parë të votimit. Sipas kësaj organizate, kjo shpërfaq mungesën e seriozitetit të subjekteve politike në formimin e institucioneve.

“Kërkojmë nga subjektet politike që të përfshihen në konsultat e nevojshme, në funksion të arritjes së konsensusit për përmbylljen e kësaj procedure. Në një situatë të tillë pandemike, me probleme të shumta me të cilat ballafaqohen qytetarët, zgjedhjet nuk duhet të shihen si opsion nga asnjë prej subjekteve politike”, thuhet në thirrjen e KDI-së.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka bërë thirrje për institucione stabile. Ai u shpreh se “ky shtet ka nevojë me iu kthy normalitetit, e ky vend ka nevojë që qytetari me qenë në qendër të vëmendjes dhe jo politikani”.

Kërkesë “skizofrene” e ka konsideruar analisti Agron Demi atë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që “Qeveria t’i përvishet punës”, ndërsa në anën tjetër e bojkotojnë seancën për votimin e presidentes, me ç’rast e çojnë vendin në zgjedhje.

Për zgjedhjen e presidentit në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota të deputetëve.

Ndërkaq, në rundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Kështu që nëse edhe rundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Related posts