Sqarohet Bulliqi për sulmin e pretenduar: janë trillime, inskenime dhe shpifje për të dëmtuar reputacionin tim

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpetim Bulliqi pak më parë ka reaguar në profilin e tij në facebook lidhur me një lajm që sot ka qarkulluar në mediat tona, që kishte të bënte me ushtrim të dhunës fizike nga kryetari Bulliqi ndaj një shërbyesi civil në Komunën e Podujevës gjatë kohës sa ai ishte në ambulancë me nënën e tij. Zyrtari i kësaj komune e kishte denoncuar në polici kryetarin Bulliqi për pretendimin se ai kishte përdorur dhunë fizike.

Por, Bulliqi lidhur me pretendimet e këtij zyrtari komunal i quan shpifje të inskenuara për të dëmtuar reputacionin e tij si kryetari i Komunës së Podujevës dhe të subjektit prej nga vjen ai, pikërisht në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Në sqarimin e tij, Bulliqi shkruan se gjatë një vizite në Qendrën e Mjekësisë Familjare, ka qenë i shoqëruar nga disa persona të cilët ai thotë se mund të dëshmojnë se aty nuk ka ndodhur asgjë dhe të gjitha këto i quan trillime dhe inskenime të ulta.

Kujtojmë se atje, Komunën e Podujevës e ka pasur për shumë vite pushtetin LDK e cila u pat kritikuar pikërisht nga kryetari aktual Shpetim Bulliqi për politizimin e administratës në këtë komunë dhe problemet që kanë hasur qytetarët sa i përket arsimit dhe shëndetësisë.

Lexoni të plotë postimin e z. Bulliqi:

Sqarim lidhur me një lajm që po qarkullon në portale të ndryshme, se gjoja sot kam sulmuar një zyrtar komunal në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Këto pretendime janë krejtësisht të pavërteta dhe shpifje me qëllim të vetëm për të dëmtuar reputacionin tim si kryetar i Komunës dhe të subjektit tim politik në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Gjatë vizitës sime në QKMF, unë kam qenë i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Driton Veliu, drejtori i QKMF-së, Ymer Llugaliu dhe mjekë e infermierë të tjerë, të cilët mund ta dëshmojnë lehtë se aty nuk ka ndodhur asgjë dhe të gjitha pretendimet e këtij zyrtari janë trillime dhe inskenime të ulëta.

Related posts