Washington Post: Trump kërkoi ndryshimin e rezultatit zgjedhor në Xhorxhia

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump është incizuar teksa i ka thënë të shtunën zyrtarit kryesor zgjedhor në Xhorxhia që t’ia “gjejë” votat e duhura për ta përmbysur rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve presidenciale.

“Vetëm dua të më gjeni 11,780 vota”, i tha Trump Sekretarit të Shtetit, republikanit, Brad Raffensperger, në një audio- incizim të cilin e ka publikuar Washington Post.

Ndërkaq, Raffensperger dëgjohet teksa përsërit se rezultatet në Xhorxhia ishin të sakta.

Demokrati Joe Biden ka fituar në Xhorxhia dhe në disa shtete tjera kyçe. Ai ka fituar 306 vota elektorale, ndërkaq Trump ka fituar 232.

Që prej zgjedhjeve të 3 nëntorit, 2020, Trump ka bërë pretendime për mashtrime zgjedhore, por nuk ka dhënë dëshmi për këto pretendime.

Sipas Washington Post, në këtë bisedë, Trump i bën presion Sekretarit të Shtetit të Xhorxhias. Presidenti në këtë incizim, dëgjohet teksa insiston se ai ka fituar zgjedhjet në Xhorxhia dhe i thotë Raffenspergerit që “nuk ka asgjë të keqe që të thoni se i keni rinumëruar”.

Raffensperger përgjigjet duke thënë se “problemi që ju keni zoti president është se të dhënat që ju keni janë të gabuara”.

Më vonë gjatë kësaj bisede, Trump tha se ka thashetheme se fletëvotimet janë grisur dhe se makinat e votimit janë larguar nga Fulton – një akuzë që avokati i Raffensperger tha se është e paqëndrueshme.

Presidenti më pas e kërcënoi këtë zyrtar zgjedhor me pasoja të mundshme ligjore.

“Ti e di se çfarë ka ndodhur dhe nuk e ke raportuar. Kjo është vepër kriminale. Nuk mund ta lejosh që kjo të ndodh. Është një rrezik i madh për ty dhe Ryan, avokatin tënd”, u shpreh Trump.

Më pas Trump kërkoi 11,780 vota – të cilat do t’i mundësonin atij të kishte 2,473,634 vota apo një votë më shumë se sa Biden ka fituar në këtë shtet.

Trump në këtë incizim dëgjohet teksa i thotë Raffenspergerit që të ri-ekzaminojë rezultatin zgjedhor. Por, Raffensperger tha se “ne besojnë se numrat tanë janë të saktë”.

Të dielën, presidenti Trump shkroi në Twitter se ka biseduar me Raffenspergerin për mashtrimet e prentenduara zgjedhore në Xhorxhia.

“Ai nuk e ka idenë” për parregullsitë zgjedhore tha Trump, por Raffensperger iu përgjigj se “me gjithë respektin president Trump: Ajo që po thoni ju nuk është e vërtetë”.

Pse është e rëndësishme Xhorxhia?

Më 5 janar, përfundojnë garat në Xhorxhia për dy vendet në Senat, të cilat shkuan në balotazh më 3 nëntor. Këto dy ulëse në Senat shihen si përcaktuese për agjendën legjislative të presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden.

Nëse republikanët fitojnë këto dy vende, atëherë ata do ta kenë kontrollin me një shumicë të ngushtë të Senatit, që do t’iu mundësonte të përdornin veton ndaj legjislacioneve që do të mund t’i sillte Biden. Nëse demokratët fitojnë, atëherë pushteti në Senat do të ishte i ndarë 50 me 50 dhe më pas vota përcaktuese se kush e ka kontrollin mbi këtë dhomë të Kongresit do të ishte vota e nënpresidentes, Kamala Harris.

Në garë janë republikani David Perdue, që po sfidohet nga demokrati Jon Ossoff. Ndërkaq, Kelly Loeffler ka për kundërkandidat demokratin Raphael Warnock.

Dy garat për Senat përfunduan në balotazh pasi asnjëri kandidat nuk mori 50 oër qind të votave të nevojshme që të shpallen fitues.

Në Xhorxhia, Biden u bë po ashtu kandidati demokrat në afër tre dekada që fitoi këtë shtet, bastion të republikanëve.

Të 50 shtetet amerikane tashmë kanë certifikuar rezultatin zgjedhor. Ekipi i Trumpit ka bërë një sërë ankesash nëpër gjykata dhe deri më tani 60 padi janë hedhur poshtë.

Më 6 janar, gjatë një mbledhje të Konrgresit, do të certifikohet vendimi i Kolegjit Zgjedhor që tha se Biden ka fituar zgjedhjet.

Por, 12 republikanë, kanë thënë se do ta sfidojnë fitoren e Trumpit gjatë kësaj seance në Kongres, duke kërkuar “auditim dhjetëditor” mbi rezultatin zgjedhor./REL.

Related posts