Zbulohet arsyeja pse policia përdori dhunë ndaj dy femrave në Vushtrri

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e ndodhur në Vushtrri, ku zyrtarët policorë sipas një videoje të publikuar, shihen duke përdorur dhunë ndaj dy femrave.

“Një polic dhe një police, derisa ishin duke patrulluar të martën pasdite në Vushtrri, kishin vërejtur një veturë që ishte ndalur dhe për shkak të bllokadës së rrugës kishin kërkuar që vetura të largohej. Dy femra kosovare dhunshëm kanë reaguar ndaj zyrtarëve policorë dhe ato kanë refuzuar të identifikoheshin”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton IndeksOnline.

Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar një hetim sipas detyrës zyrtare pas publikimit të video-incizimit me dyshimin për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga dy zyrtarët policorë.

Hetuesit e IPK-së pas publikimit të videos në medie janë angazhuar duke ndërmarrë veprime hetimore, lidhur me këtë rast që kanë përfshirë marrjen e deklaratave si edhe sigurimin e disa video-incizimeve.

Pas disa veprimeve hetimore fillestare, hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë (një zyrtare policore dhe një rreshter policor) që janë përfshirë në këtë incident.

Në konsultim me prokurorin kompetent për këtë rast do të zhvillohet një hetim me procedurë të rregullt me dyshimin se zyrtarët policorë të Stacionit policor – Vushtrri kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore, lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përkatës./IndeksOnline/

Related posts