Zemaj prezanton masat e reja anti-covid, zgjatet orari i punës për gastronominë deri 21:00, pas kësaj ore vetëm “porosi me dërgesë”

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj përmes një postimi në facebook ka njoftuar rreth masave të reja anti-covid që janë futur në fuqi sot. Me këtë rast, Zemaj ka thënë se nga sot zgjatet orari për gastronominë nga ora 20:00 sa ishte deri tani në ora 21:00.

Zemaj në postimin e tij, tregon gjithashtu edhe për gjendjen e pacientëve që pësuan pas aksidentit në Ferizaj ku disa persona pësuan djegje trupore si pasoj e shpërthimit të bombolës në një nga restorantet e Ferizajt.

“Gjendja e pacientëve në Turqi e Austri (Grac), Nga kontaktet e vazhdueshme me ambasadorët tanë në Turqi dhe Austri, z. Dugolli dhe z. Pllana, na është bërë e ditur se qytetarët tanë të cilët tashmë janë në këto shtete mike, vazhdon trajtimi i tyre. Nga katër pacientët që kemi dërguar në Turqi, pas aksidentit në Ferizaj ku pësuan djegie trupore, znj. Fatime Haxhidemi dhe z. Faruk Salihu janë në intubacion, ndërsa Edon Bekteshi dhe Genc Sopa janë nënshtruar operimit dhe pas operimit gjendja e tyre shëndetësore është stabile. Fidan Gashi dhe Enver Xhokli të cilët janë në Austri duke u trajtuar, kanë gjendje të mirë dhe stabile”, ka shkruar ndër tjerash ministri Zemaj.

Lexoni të plotë shkrimin e z. Zemaj:

Të nderuar qytetarë,

Keni më poshtë adresimin tim në konferencën e sotme për media lidhur me çështjet më aktuale lidhur me COVID-19 në vendin tonë.

GRUPI PUNUES PËR FAMILJARËT :Më lejoni që të ju informoj Ju dhe nëpërmjet Juve edhe opinionin publik se tashmë Ministria e Shëndetësisë, në mbështetjeje të kryeministrit Hoti, ka formuar grupin punues I cili do të bëjë hartimin rregullores, me të cilin do të siguroj mbështetje financiare për familjarët e profesionistëve shëndetësorë të cilët kanë humbur jetën gjatë shërbimin në luftën kundër Covid -19. Grupi punues do të konsultoj bazën ligjore, do ti vlerësoj kapacitetet dhe rrethanat financiare për të gjetur variantin më të përshtatshme për një mbështetje të dinjitetshme për familjarët e profesionistëve shëndetësorë që kanë sakrifikuare në luftë kundër Covid -19 .

Mbështetja, përveç se është një satisfaksion për familjarët e tyre tregon edhe gatishmërinë e shtetit që kujdesin për secilën kategori në nevojë duke e vlerësuar kontributin e profesionistëve tonë. Duke falënderuar secilin profesionist shëndetësor që ka qenë dhe vazhdon të jetë në krye të detyrë për t’i ofruar qytetarit trajtim të dinjitoz, dua të ju njoftoj edhe me vendimet e fundit që ka marrë Qeveria e Kosovës, për masat e reja të cilat janë në fuqi nga sot.

SITUATA EPIDEMIOLOGJIKE

Gjendja epidemiologjike në vend, edhe nga ajo që shihet, por edhe nga vlerësimet që i behën vendit tonë nga ECDC, Kosova rangohet si shteti me numrin më të vogël të rasteve të reja në javët e fundit në 100.000 banorë në rajonin e Ballkanit dhe me shifra shumë të mira në Evropë, përderisa bashkë me Shqipërinë kemi numrin më të vogël të vdekjeve krahasuar me shtetet e tjera të Rajonit dhe më gjerë.

Por, pavarësisht kësaj, të gjitha institucionet publike dhe organizatat/bizneset private pa përjashtim obligohen të mbikëqyrin në baza ditore shëndetin e stafit në përputhje me “Manualin për mbrojte nga përhapja e Covid-19”, përfshirë matjen e detyrueshme të temperaturës për të gjithë gjatë hyrjes në objekte.

Masat për aktivitetet publike në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 30 personave, ndërsa në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme, lejohet grumbullimi deri në 50 persona me përjashtim rasteve të lejuara me këtë vendim. Po ashtu, të gjitha tubimet publike të organizuara në hapësira publike të të gjitha formave, ndalohen në jo më shumë se 50 persona, me përjashtim të rasteve të lejuara me këtë vendim. Masat për aktivitetet biznesore nga sot, lejohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve dhe kafshëve deri në 40% të sipërfaqes së kapaciteteve të hapësirave.

MASAT SPECIFIKE SIPAS KOMUNAVE

Për komunat të cilat kategorizohen në zonën e verdhë dhe të gjelbër kemi bërë lëvizje të orarit sa i përket gastronomisë: Operatorët ekonomik lejohen të punojnë nga 05:00-22:00.Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-22:00.Shërbimet e hotelierisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga 05:00-22:00, ndërkaq pas orës 22:00 punojnë vetëm me shërbim “porosi me dërgesë”. Institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave, lejohet po ashtu të punojnë deri në orën 22:00 duke shfrytëzuar deri në 40% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”, ndërsa masat për komunat me rrezik të lartë lëvizja e qytetarëve do të vazhdoj të jetë e ndaluare nga ora 21:30 deri në orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore të dokumentuar në mënyrë të përshtatshme, duke përjashtuar nga kjo masë personelin shëndetësorë, të sigurisë, të drejtësisë dhe të ngjashme.

Po ashtu ndalohen hyrje-daljet e qytetarëve dhe automjeteve në territorin e komunës përkatëse nga ora 21:30 deri në orën 05:00. Operatoret ekonomik lejohen të punojnë nga 05:00-21:00. Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-21:00. Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga 05:00-21:00, ndërkaq pas orës 21:00 punojnë vetëm me shërbim “porosi me dërgesë”. Ndërsa qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për Covid-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit. I vetmi autoritet që mund të interpretojë këtë vendim është Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq çdo institucion tjetër mund të ofrojë sqarime për grupet respektive që preken nga ky vendim vetëm pas miratimit të atij sqarimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Secili vendim duhet të respektohet nga secili nga ne, lirimi i sotëm i masave nuk nënkupton që ne nuk mundemi sërish të kthehemi prapë në mbyllje nëse kemi keqësim të situatës epidemiologjike siç po ndodh nëpër shumë vende të rajonit. Prandaj ky lehtësim i vogël i masave le të nënkuptohet si një përgjegjësi për ti zbatuar ato edhe më mirë dhe për t’i dhënë një shtytje funksionimit më të mirë të sektorit të ekonomisë dhe jetës së qytetarëve. Sot, po ashtu kemi edhe kategorizimin e ri të komunave, sipas numrit të rasteve të COVID-19 në 100.000 banorë brenda një jave. Në zonën e kuqe janë 9 komuna: Prishtinë, Fushë-Kosovë, Obiliq, Podujevë, Mitrovicë e Veriut, Mitrovicë e Jugut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviqi.Në zonën e verdhë janë 6 komuna: Vushtrri, Gjilan, Lipjan, Suharekë, Shtime, Viti.Në zonën e gjelbërt janë 23 komuna: Pejë, Kllokot, Ferizaj, Malishevë, Deçan, Kamenicë, Skenderaj, Rahovec, Junik, Gjakovë, Shterpcë, Klinë, Istog, Novobërdë, Prizren, Drenas, Kaçanik, Hani i Elezit, Dragash, Graçanicë, Mamushë, Partesh dhe Ranillugë.

Gjendja e pacientëve në Turqi e Austri (Grac), Nga kontaktet e vazhdueshme me ambasadorët tanë në Turqi dhe Austri, z. Dugolli dhe z. Pllana, na është bërë e ditur se qytetarët tanë të cilët tashmë janë në këto shtete mike, vazhdon trajtimi i tyre. Nga katër pacientët që kemi dërguar në Turqi, pas aksidentit në Ferizaj ku pësuan djegie trupore, znj. Fatime Haxhidemi dhe z. Faruk Salihu janë në intubacion, ndërsa Edon Bekteshi dhe Genc Sopa janë nënshtruar operimit dhe pas operimit gjendja e tyre shëndetësore është stabile. Fidan Gashi dhe Enver Xhokli të cilët janë në Austri duke u trajtuar, kanë gjendje të mirë dhe stabile.

Related posts