Zjarr në zyrën e arkivit të stacionit Policor në Drenas, IPK në vendngjarje

Një zjarr ka shpërthyer sot në zyrën e arkivit të Stacionit policor, në Drenas.
Policia ka intervenuar me kohë dhe ka lokalizuar zjarrin, ndërsa aktualisht po punohet për evidentimin e dëmeve që janë shkaktuar, si edhe po analizon rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim ndriçimin e shkaqeve të zjarrit.

Lajmin e ka konfirmuar për IndeksOnlinen, zëdhënësi i Policisë rajonale në Prishtinë, Agron Borovci.

Ai ka thënë se në vendin e ngjarjes po ashtu është ftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

“Rreth orës 13:00 është vërejtur një tym në zyrën e arkivit të Stacionit policor në Drenas. Nga zyrtarët policor që kanë vërejtur tymin janë përdorur aparatet për shuarjen e zjarrit dhe njëherësh janë ftuar edhe zjarrfikësit. Në vendin e ngjarjes po ashtu është ftuar edhe IPK-ja. Zjarri është lokalizuar dhe policia ka filluar punën për evidentimin e dëmeve që janë shkaktuar, si edhe po analizon rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim ndriçimin e shkaqeve të zjarrit”, ka thënë Borovci./IndeksOnline/

Related posts